Aksidente në vend, 2 prej tyre me pasojë vdekjen

15/06/2016 00:00

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur këtë të mërkurë në aksin që lidh fshatrat Skuraj-Gallatë. Një makinë me targë “MR 2739 A”, e drejtuar nga shtetasi Astrit Gjoka ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një greminë, në shtratin e një përroi.

Për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja Vera Gjoka, bashkëshortja e drejtuesit, ndërkohë që ky i fundit nuk ka marrë lëndime serioze dhe është arrestuar.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se, 39-vjeçari Gjoka nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Ndaj tij ka nisur procedimi penal për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtim mjeti pa leje”.

Mësohet se bashkëshortja e Gjonit ka ndërruar jetë pas aksidentit, pasi ishte dërguar në spitalin e traumës në Tiranë.

Ndërkohë, një tjetër aksident me pasojë vdekjen e drejtuesit të një motoçiklete ka ndodhur po pasditen e sotme në fshatin Gajtan të Shkodrës.

Viktima është shtetasi Aleksander Lazri, 35 vjeç nga fshati Rrenc. Sipas policisë lokale, 35-vjeçari ka qënë duke lëvizur i vetëm me motoçiklete kur ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën pranë rrugës.

Megjithë ndihmën e parë, viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në kokë, pak minuta pasi ka mberritur në siptal. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.

Ndërkohë, policia e Matit ka njoftuar arrestimin e drejtuesit të një furgoni, përgjegjës për aksidentimin dhe plagosjen e dy personave që po udhëtonin në bordin e një motori, nënë e bir, gjatë paradites së të martës.

Burimet policore kanë bërë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Besim Elezi, 31 vjeç, ndaj të cilit ka nisur tashmë procedimi penal për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Gjithashtu, procedimi për të njëjtën akuzë por në gjendje të lirë ka nisur edhe ndaj shtetasit me inicialet S.P, drejtues i motorit të aksidentuar.

Nga përplasja me automjetin “Mercedes Benz”, me targë “AA 104 JS”, 27-vjeçari mbeti i plagosur bashkë me të ëmën. Ata u dërguan për ndihmë mjekësore të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel