Kosovë, 8 vite nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Sfidë mbetet zbatimi i saj

15/06/2016 00:00

Sot bëhen 8 vite nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ish-anëtari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, njëherazi nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami ka vlerësuar të martën për “Epokën e re” se funksioni kryesor i Kushtetutës është realizuar.

“Kushtetuta e Kosovës ka realizuar misionin e saj historik dhe parësor, që ka të bëjë me shtetndërtimin dhe implementimin e pavarësisë. Të mos harrojmë se, Kushtetua është produkt i negociatave dhe konsensusit ndërkombëtar që ka paraparë ligje shumë të avancuara sa i përket të drejtave të pakicave. Kështu që, nëse e shikojmë pas 8 viteve mund të themi se funksioni kryesor i Kushtetutës është realizuar”, ka deklaruar Bajrami.

Megjithatë, ai ka thënë se në Kosovë ende nuk është ndërtuar demokracia kushtetuese.

“Kemi mungesë të një kulture kushtetuese për faktin se, në këto 8 vite kemi prodhuar kriza shumë të rënda politike dhe kushtetuese, të cilat tregojnë se rrugët e ndërtimit të një shteti ligjor dhe kushtetues marrin më shumë kohë dhe kërkojnë më shumë angazhime, në radhë të parë të institucioneve shtetërore, por edhe të një procesi të edukimit të përgjithshëm për rolin që duhet të ketë Kushtetuta në një shtet dhe në një shoqëri demokratike”, është shprehur Bajrami, duke shtuar se aktualisht janë tri sfida për sa i përket Kushtetutës.

“Sfida e parë është rritja e nivelit të edukimit kushtetues të shtetit, të institucioneve, të partive politike dhe të qytetarëve për rolin që ka Kushtetuta në një shoqëri demokratike. Sfida e dytë është, padyshim, shtrirja e veprimit të Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës dhe evitimi i cilësdo formë tjetër të shkeljes së Kushtetutës, sidomos në pjesën veriore të vendit. Dhe sfida e tretë është rishikimi i Kushtetutës në segmentet e qeverisjes për ta bërë atë sa më funksionale dhe për t’i evituar pasojat e krizave të cilat janë shfaqur qoftë me largimin e dy presidentëve, qoftë me krizat politike që kanë pasur manifestime në vonesat e krijimit të institucioneve demokratike”, ka vlerësuar Bajrami.

Ndërsa ish-anëtari tjetër i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka vlerësuar se 8 vite pas hyrjes në fuqi, Kushtetuta nuk është duke e luajtur rolin e saj. Ai ka thënë se akti më i lartë juridik i vendit nuk është duke u zbatuar, si dhe nuk është duke u respektuar nga krerët e shtetit.

“Nuk ka asnjë dyshim që Kushtetuta është dokumenti themelor i shtetit, që bën ndarjen e pushteteve dhe përcakton të drejtat e përgjegjësitë e tyre. Por Kushtetuta, edhe pas 8 viteve nuk është duke pasur rolin e saj, nuk është duke u zbatuar e as respektuar, as nga krerët e shtetit të cilët e shkelin ngado që kthehen. Ndërsa për institucione të tjera të pavarura, as të mos flasim! Pra, ne kemi dhe s’kemi Kushtetutë”, ka deklaruar Krasniqi.

Top Channel