Kroacia premton mbështetje për Kosovën

14/06/2016 00:00

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka pritur sot në një takim njoftues ambasadoren e Kroacisë, Marija Kapitanovic, të cilës i ka dëshiruar mirëseardhje në Kosovë, duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer ndërshtetëror.

Zëvendëskryeministri Kuçi gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të thelluar edhe më tutje bashkëpunimin institucional në fusha të interesit të përbashkët, sidomos në ekonomi.

Ai e ka njoftuar ambasadoren për “prioritetet e prioriteteve” të këtij mandati qeverisës, duke u përqendruar në zhvillimin ekonomik, avancimin e procesit të integrimit evropian dhe fuqizimin e sundimit të ligjit me qëllim të ngritjes së besimit të qytetarëve në drejtësi dhe tërheqjen e investitorëve.

Kuçi dhe Kapitanoviç diskutuan edhe për traditën dhe të kaluarën e përbashkët të dy shteteve. Zëvendëskryeministri Kuçi gjithashtu theksoi që falë bashkëpunimit të ngushtë ndërshtetëror, Kosova mund të mësojë nga përvoja e Kroacisë në procesin e integrimit evropian.

Zëvendëskryeministri Kuçi, veçanërisht, ka kërkuar shkëmbimin e ekspertizës në luftimin efektiv të korrupsionit, sidomos në fushën e krimeve kibernetike dhe financiare, ku edhe ka nevojë më të theksuar për ngritje të kapaciteteve.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanovic, në fund, është shprehur se bashkëpunimi do të vazhdojë të kultivohet gjatë mandatit të saj, si dhe ka ritheksuar mbështetjen e Kroacisë në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe në anëtarësimin e Kosovës në mekanizma regjionalë dhe ndërkombëtarë.

Top Channel