“Beteja e Britanisë”, lojtarët i hedhin “benzinë zjarrit” të sfidës Angli-Uells

14/06/2016 00:00

“Beteja e Britanisë”, kështu është cilësuar nga mediet kombëtare britanike sfida mes Anglisë dhe Uellsit, që do të zhvillohet ditën e mërkurë për raundin e dytë të përballjeve në grupet e Europianit francez.

Një sfidë që ka shtuar tensionet në prag të saj jo vetëm për ato që mund të ndodhin në rrugët e Lensit, apo ato pranë Lilles. Shqetësimet mbi sigurinë dhe frika për përplasje të tjera të dhunshme mes tifozëve kanë dominuar përgatitjet e një prej ndeshjeve më të shumëpritura të fazës me grupe, e megjithatë ka edhe më keq. Komentet e disa prej lojtarëve duket se po “i hedhin benzinë zjarrit”.

Anësori sulmues i Uellsit, Gareth Bale, nisi që prej fundjavës së kaluar ta quante Anglinë “armike”, duke thënë madje se ekipi i tij “ndien më shumë pasion e krenari për të qenit britanik, sesa ata”. “Ata e quajnë veten në epërsi ndaj nesh, por pa bërë gjë ende për ta treguar këtë”, tha Bale.

Trajneri i Anglisë, Roy Hodgson i përshkroi komentet e yllit të Realit të Madridit si “të pasjellshme”, ndërsa mesfushori i “3 luanëve”, Jack Ëilshere shkoi edhe më tej duke iu kthyer me të njëjtën monedhë.

“E dimë që Uellsi nuk na pëlqen aspak, – tha lojtari i Arsenalit. – Por a i pëlqejmë ne ata? S’besoj!”.

Bale doli sërish para medieve këtë të martë, duke thënë për Anglinë se “është shumë mirë që ata kapen” pas deklaratave të tij.

“Nuk po bëjmë lojëra fjalësh, – tha Bale. – Asgjë nuk na shqetëson momentalisht dhe nuk ndiejmë ndonjë presion”.

Anglia, historikisht ka konsideruar Gjermaninë dhe Argjentinën si rivalët më të mëdhenj në arenën botërore të futbollit, për shkak edhe të historisë dhe përballjeve të dyluftuara mes tyre nëpër kompeticione të rëndësishme. Ndërkohë që për Uellsin ka vetëm një “armik të betuar”, dhe ky është Anglia.

“Kushdo prej tyre kërkon skalpin e Anglisë, dhe jo vetëm nga Uellsi. Është e njëjta gjë për të gjitha vendet”, tha mesfushori i “3 luanëve” Adam Lallana këtë të mërkurë. “Ata mezi presin të luajnë kundër Anglisë, por kjo vetëm sa na bën neve më të uritur për të fituar. Sigurisht që është një ndeshje e madhe, nuk ka nevojë të na e thotë ndonjëri”.

Lallana nuk ra dakord me ata që thonë se kjo ndeshje ka më shumë vlerë për Uellsin, sesa për Anglinë. “E dimë që duhet të përgatitemi njësoj edhe për të, – tha mesfushori i Liverpoolit. – Nuk kemi nevojë për ndonjë faktor ekstra motivues, jemi të vetëmotivuar përpara kësaj sfide. Kemi mjaftueshëm lojtarë të mëdhenj në kombëtaren tonë, të cilët dinë sesi të përballen me presionin. Ndaj kemi mësuar sesi të japim më të mirën edhe në të tilla situata”.

Top Channel