Dhunë e papranueshme në Marsejë, UEFA nis hetimet. Rusia: U sollëm keq!

12/06/2016 00:00

E shtuna ka qenë një ditë e trazuar për tifozët anglezë e rusë në Marsejë të Francës, aty ku u zhvillua edhe ndeshja mes Anglisë dhe Rusisë e përfunduar me rezultatin e barabartë 1-1. Disa prej anglezëve u dërguan në spital pas një serie përplasjesh mes huliganësh.

Dhuna shpërtheu mes tifozëve të Anglisë, mes tyre dhe mbështetësve rivalë të Rusisë, por edhe me policinë dhe ka pllakosur qytetin portual të Marsejës për 3 ditë me radhë. Përplasje ka pasur në stadium edhe pas barazimit 1-1 në ndeshjen e dytë për grupin B të Europianit, teksa pamjet treguan tifozët rusë të shkonin drejt atyre anglezë.

Policia franceze bëri të ditur se një britanik ishte plagosur rëndë gjatë përplasjeve përpara sfidës. Ndërkohë, dëshmitarë bënë të ditur se trazirat në stadium nisën për shkak të hedhjes së flakadanëve mes tifozëve rivalë, teksa rusët u ngjitën nëpër barrierat e vendosura për t’i mbajtur tifozët të ndarë.

Ministri rus i Sporteve, Vitaly Mutko deklaroi mëngjesin e kësaj të diele se “presin të marrin një gjobë të majme nga UEFA dhe kjo është mëse e kuptueshme. Ne jemi sjellë në mënyrë të gabuar”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve “R-Sport”. Por, ai shtoi gjithashtu se “nuanca të shumta” i janë dhënë ngjarjeve të dhunshme, ndaj dhe zyrtarët rusë do të nisin hetimet e tyre.

Një reporter britanik nga Londra i tha BBC-së se, “u dëgjua një shpërthim i fuqishëm në stadium dhe, pas golit të barazimit të Rusisë, tifozët rusë mësynë zonat ku ishin duke qëndruar tifozët anglezë. Nuk pashë asnjë hakmarrje prej këtyre të fundit, ata thjesht u përpoqën të largoheshin. Ndërsa policë të pranishëm për të shpërndarë turmat në zënkë e sipër mungonin, nuk ishin aty siç ishin parashikuar, ata thjesht i lanë ngjarjet nën rrjedhën e tyre”.

Shefi i policisë lokale, Laurent Nunez tha për “AFP” se “policia ndërhyri në përplasjet mes tifozëve në lagjen Vieux Port”. Sipas dëshmitarëve në këto zhvillime, thuhet se fajtorë kanë qenë disa banda ruse të kamufluar me të zeza, të cilët hynë në sheshin kryesor të qytetit portual në kërkim të përplasjeve.

Federata Angleze e futbollit dënoi dhunën duke e quajtur atë “tepër zhgënjyese. Ishin skena të tmerrshme të një kaosi total të rendit”. Edhe trupa qeverisëse e futbollit europian, UEFA bëri të ditur se “dënon rreptësisht ngjarjet e Marsejës”, duke shtuar madje se “njerëz të përfshirë në të tilla akte nuk duhet të kenë vend në futboll”.

Tifozët anglezë do të largohen tashmë nga Marseja, për t’u zhvendosur në Lens, aty ku Anglia do të përballet me Uellsin, ndërkohë që “Velodrome” i Marsejës do të bëhet gati të presë të zotët e shtëpisë kundër Shqipërisë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel