Duka: Humbëm betejën, jo luftën

11/06/2016 00:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke komentuar humbjen me Zvicrën flet në të njëjtin mendim me Giani De Biasin; kuqezinjtë u mundën nga emocionet.

“Edhe para lojës e kemi thën që çunat tanë e dashurojnë më shumë se të tjerët fanelën, dhe nuk arritën në ato 15 minuta të para të çlirohen nga presioni dhe emocionet, pavarësisht se të gjithë u munduam t’ju shpjegonim se ne e kemi arritur fitoren tonë dhe nuk kemi pse kemi presion, por ata e ndjenë peshën e fanelës, e ndjenë emocionin në ato 15 minuta të para ku gabuam, pastaj përveç kartonit të Lorikut luajtëm shumë mirë, nuk e di nëse një skuadër mund të bëjë më shumë se kaq”, thotë ai.

Ajo që vret më shumë Dukën nuk është humbja, por mënyra sesi erdhi kjo humbje.

“Ai i Gashit ishte një rast shumë i pastër, pasi ishte pa asnjë lloj presioni dhe në momentin e duhur pasi një gol aty ishte një pikë e padiskutueshme dhe do ishim në humor të mirë, dhe gjithë ata tifozë që ishin në stadium dhe ata miliona shqiptarë që panë ndeshjen, Ky është futbolli  ne e pritëm me kënaqësi dhe gëzim që do ishim këtu . Nuk është se një humbje me Zvicrën do të na pezmatojë por duke parë cfarë dhamë na mërzit shumë pasi të paktën një pikë e meritonim”, deklaron ai.

Kreu i FSHF-së ka edhe një mesazh për tifozët.

“Unë uroj që tifozët të jenë të kënaqur që janë pjesë e këtij kompeticioni, jam shumë i sigurt se do të ishin shumë më të kënaqur me një rezultat pozitiv dhe i ftoj ta ndjekin këtë ekip pasi jo cdo gjë mbaron me këtë ndeshje. Lufta vazhdon, kemi dhe dy ndeshje të tjera dhe mund të bëjmë mirë”, tha ai.

Top Channel