Përgatitjet e fundit, 4 sulmues për një vend

09/06/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare po bën përgatitjet e fundit për debutimin e saj në një Kampionat Europian.

Në këto 3 javë stërvitje, italiani De Biasi ka provuar shumë skema, lojtarë të ndryshëm në pozicione të ndryshme, për të gjetur më të mirën për sfidën ndaj Zvicrës.

Një pjesë e mirë e lojtarëve e kanë konsoliduar vendin e tyre në formacionin bazë, ndërkohë që shumë të tjerë luftojnë për të arritur 11-shen.

Sulmi është reparti më i populluar dhe më i konkurruari nga 4 lojtarët, të cilët e dinë shumë mirë që në kokën e De Biasit ka vend vetëm për 1 sulmues në formacion. 

“Kam dhënë gjithmonë 100% nga mundësitë kur jam aktivizuar me kombëtaren dhe këtë gjë do të vazhdoj ta bëj gjithmonë kur trajneri të mendojë të më hedh në fushën e lojës”, thotë Armando Sadiku.

“Konkurrenca është e mirë për çdo ekip, shpresoj që edhe ekipi tonë t’i bëjë mirë. Pak rëndësi ka se kush do të luajë, e rëndësishme është vijueshmëria e ekipit. Në momentin që do të jem në fushë do të mundohem të bëj më të mirën time si gjithmonë”, shprehet Cikalleshi.

“Nuk më intereson shumë nëse ka konkurrencë, ne jemi një ekip, kemi ardhur bashkë këtu. Duhet të kënaqim tifozat dhe si ekip duhet të japim maksimumin”, thotë Gashi.

Ndërkohë sulmuesi tjetër kuqezi, Bekim Balaj ka zyrtarizuar kalimin e tij te Terek Grozni, skuadra që përfaqëson kryeqytetin e Çeçenisë në kampionatin rus. Mësohet se shkodrani ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me të drejtë rinovimi me skuadrën çeçene.

Top Channel