Zhgënjen Spanja, mundet në shtëpi nga Gjeorgjia

08/06/2016 00:00

Spanja ka bërë mbylljen më të keqe të mundshme të fazës përgatitore para startimit të kampionatit europian duke u mundur në stadiumin e Getafes nga Gjeorgjia.

Del Bosque e nisi ndeshjen me treshen e sulmit, Thiago-Fabregas-Aduriz, por eksperimenti në fazën e sulmit rezultoi i dështuar për kampionët në fuqi të Europës, të cilët po tregojnë luhatje të mëdha në lojë.

Spanjollët u dorëzuan pas 90 minutash të dobëta, ku vendosi goli i shënuar nga Okriashvilli në minutën e 40 të takimit.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga vendasit që nuk arritën të gjenin rrugën e golit në disa raste, gjithsesi të rinjtë Bellerin e Lucas Vasquez nuk arritën të bindin trajnerin Del Bosque.

Në pjesën e dytë, Del Bosque vendosi të hidhte në fushë armatën e rëndë të drejtuar nga Iniesta dhe Koke në mesfushë, por as Nolito nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, duke u dorëzuar në një 90 minutësh ku treguan se nuk janë ende gati për ndeshjen e parë ndaj Çekisë në 13 Qershor.

Top Channel