Kosovë, Serbia e shqetësuar për themelimin e Forcave të Armatosura

05/06/2016 00:00

Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës mund të jetë vetëm një kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen paqësore të serbëve dhe shqiptarëve. Kështu shprehen në Beograd. Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç i ka thënë “TribunaChannel” se, një destabilizim të tillë nuk do ta donte asnjëra palë.

“Sa i përket qëndrimit të Qeverisë së Serbisë, është e qartë se në bazë të marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, në qershor të vitit 1999 mes ushtrisë jugosllave dhe NATO-s, përkatësisht KFOR-it, forcë e vetme ligjore e armatosur në territorin e Kosovës është KFOR-i. Ne mendojmë se, çdo militarizim i ri në rajonin që ka vuajtur aq shumë për shkak të luftrave, mund të jetë vetëm një kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen paqësore të serbëve dhe shqiptarëve, të cilën ne të gjithë e duam”, ka thënë Marko Gjuriç.

Por në Qeverinë e Kosovës shprehen se, themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në rajon.

“Ushtria e Kosovës do të formohet së shpejti”, është shprehur për “TribunaChannel” ministrja për Dialogun, Edita Tahiri.

Përfaqësues të opozitës në Kosovë pretendojnë se, themelimi i FA mund të bëhet vetëm nëse bëhen “pazare” të reja me Qeverinë e Serbisë. Por këtë e mohon ministrja për Dialogun Tahiri, si kryenegociatore e nivelit teknik të bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Top Channel