Përmbytjet në Francë, Sena i kalon 6 metrat. 15 të vdekur në Europë

03/06/2016 00:00

Sikurse edhe pritej, niveli i lumit Senë i kaloi të 6 metrat lartësi, pasi situata e përmbytjeve është përshkallëzuar. Përgjatë shtratit të lumit janë ngritur barrikada të përkohshme, por një numër i madh urash, por edhe varkash turistike që lundrojnë në Senë, janë bllokuar.

Presidenti francez Francois Hollande deklaroi se, ky është një fenomen serioz klimatik dhe një sfidë e madhe globale. Dy viktima janë shënuar në Francë, 10 në Gjermani, dy në Rumani dhe një në Belgjikë.

Pjesa më e madhe e Europës veriore dhe qendrore janë përfshirë nga përmbytjet më të rënda në 100 vitet e fundit. Mijëra persona kanë braktisur banesat e tyre. Po ashtu dyqanet, zyrat dhe shkollat janë mbyllur për t’u rihapur në momentin kur gjendja të qetësohet.

“Na vjen keq, por sot jemi të mbyllur”. Me këto fjalë i kanë përcjellë punonjësit e Muzeut të Luvrit dhe të Orsejës turistët. 250 mijë vepra arti ndodheshin në zonat e rrezikut dhe, në një skenar alarmi të kuq, ata kanë nisur evakuimin e veprave që ndodhen në katin nëntokë.

Shtetet e prekura nga kjo përmbytje masive, e cila pritet të vijojë intensivisht edhe në fundjavë, kanë ngritur grupet e punës për të konstatuar shkallën e dëmeve, me qëllim miratimin e fondeve të emergjencës për të kapërcyer situatën.

Top Channel