FIFA, ish-drejtuesit shpërblyen vetveten me 80 milionë dollarë

03/06/2016 00:00

Ish-zyrtarët e lartë të FIFA-s, Sepp Blatter president, Jerome Valcke sekretar i përgjithshëm dhe Markus Kattner, sekretar i përgjithshëm në detyrë dhe ish-drejtor i Financave, kanë shpërblyer vetveten me rritje page dhe me bonuse prej 80 milionë dollarësh përgjatë 5 viteve të kaluara.

Ky është rezultati i avokatëve të FIFA-s, teksa organizmi më i lartë i futbollit botëror zbuloi kontratat e ish-presidentit Blatter, ish-sekretarit të përgjithshëm të shkarkuar Valcke, si dhe ish-drejtorit të Financave të shkarkuar Kattner, një ditë pas bastisjes së policisë zvicerane në zyrat e vet organizmit.

Sipas avokatëve, ka pasur prova të mjaftueshme që tregojnë se, kjo treshe drejtuesish ka bërë një “përpjekje të koordinuar” për t’u “pasuruar” mes viteve 2011-2015. Dokumentet dhe të dhënat elektronike, të cilat janë sekuestruar gjatë operacionit të së enjtes, kanë lidhje me hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj Blatterit dhe Valckes.

Të dyshuar për menaxhim të keq dhe kriminal të fondeve të FIFA-s, Blatter dhe Valcke u pezulluan për 6 dhe 12 vite respektivisht nga të gjitha eventet sportive, një dënim i dhënë prej vet Komitetit të Etikës së trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror, gjatë muajit shkurt. Të dy ata mohojnë të kenë kryer veprime të paligjshme.

Një deklaratë e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm (OAG), në Zvicër, e cila po kryen hetimet, bënte të ditur se “dokumentet dhe të dhënat elektronike janë sekuestruar për t’u ekzaminuar, e për të përcaktuar rëndësinë e tyre mbi procedimet në vazhdim e sipër”. FIFA tha se këto prova do të ndahen për shqyrtim me zyrën e kryeprokurorit zviceran, si dhe me Departamentin amerikan të Drejtësisë.

FIFA është përfshirë nga trazirat dhe akuzat për korrupsion që prej majit të vitit 2015, kur një hetim amerikan zbuloi shkallën e gjerë të korrupsionit në organizatën më të lartë.

Top Channel