Januzaj mohon Kosovën

26/05/2016 00:00

Adnan Januzaj nuk e kishte menduar asnjëherë se në moshën 18-vjeçare dhe me një karrierë në ngjitje, do të detyrohej të shikonte Europianin 2016 përmes ekranit të vogël dhe jo në fushë.

Por futbollisti kosovar që zgjodhi të përfaqësojë Belgjikën në arenën ndërkombëtare, ka mohuar së fundmi se do të ndryshojë fanellën kombëtare. Përmes agjentit të tij, Dirk De Vries, anësori i Manchester United mohoi se do të përfshihet në planet e seleksionit të Kosovës, të paktën së afërmi.

De Vries, i cili në kulmin e presionit mediatik dhe sportiv ndaj Adnan Januzaj për të zgjedhur kë shtet duhej të përfaqësonte, e shtyu drejt Belgjikës, tani ka thënë se Januzaj ende nuk ka marrë vendim për të ardhmen.

“Januzaj nuk ka dalë ende me ndonjë vendim zyrtar. Në të ardhmen do të sqarohet gjithçka, por aktualisht asgjë nuk është vendosur”, ka thënë De Vries.  Para vendimit final, Januzaj thuhet se do të bisedojë edhe njëherë me selektorin e Belgjikës, Mark Wilmots nga i cili do të kërkojë fjalën e fundit nëse në të ardhmen do të jetë në planet e tij me kombëtaren belge.

Por me super yje në skuadër, si Eden Hazard, Lukaku apo Kevin de Bruyne, edhe talenti nga Istogu duket i vogël për të pretenduar më shumë në përfaqësuesen e “djajve të kuq” të Europës.

Januzaj është aktivizuar në 6 ndeshje zyrtare me kombëtaren belge por pa mundur të lërë shenjë, as përmes lojës dhe as përmes golave.

Top Channel