Pretendimet e Sopotit, reagon Partizani: Sajesa dhe pretendime të lajthitura

20/05/2016 00:00

Pas akuzave të skuadrës së Sopotit për shkeljen e rregullores nga ana e klubit Partizani B, ku sipas tyre kjo skuadër ka aktivizuar përkundër rregullores gjatë ndeshjes së “play off”-it, të cilën e fituan 4-1, dy lojtarë nga ekipi A, Labinot Ibrahimi dhe Ylber Ramadani, kanë reaguar kryeqytetasit.

Sipas drejtuesve të Sopotit, në bazë të rregullores së FSHF, të vitit 2013 lojtarët nuk duhet të aktivizohen edhe tek ekipi A dhe tek B pa kaluar 24 orë.

Por, klubi i kuq paraqet fakte të tjera për të konfirmuar ndryshimin e rregullores. Sipas komunikatës për shtyp së klubit Partizani, rregullorja që i referohen librazhdiotët është shumë e vjetër pasi ajo është përditësuar në fillim të sezonit 2015/2016 dhe neni 12 pika 21 nuk vendos asnjë kushtëzim për lojtarët që luajnë në skuadrën A dhe më pas në B.

Duke i rikujtuar edhe një herë të jenë të vëmendshëm drejtuesve të Sopotit, Partizani thekson se do të mbrojë rezultatin sportiv të kësaj ndeshjeje në të gjitha shkallët e drejtësisë sportive. 

Top Channel