Kosovë, Hahn takon udhëheqësit politikë: Demarkacioni, kusht për vizat

17/05/2016 00:00

Gjashtë muaj pas krizës së thellë politike, teksa opozita bllokonte punën e institucioneve me gaz lotsjellës dhe komunikimi mes udhëheqësve politikë ishte ndërprerë, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn ka arritur që t’i bindë krerët e shumicës dhe opozitës të ulen në një tryezë të përbashkët.

Ai tha se u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë, që është në dorën e tyre gjetja e çfarëdolloj marrëveshjeje, ndërkohë që tregoi se i ka porositur ata të miratojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pasi është kusht për heqjen e vizave.

“Edhe nëse qeveria ka një shumicë të fortë, ekziston një mënyrë e matur e të qeverisurit që të mundohet ta përfshijë opozitën. Por, në anën tjetër, edhe opozita duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve që qeveria ka arritur. Po e them prapë, në demokraci secili mund dhe duhet të kontribuojë, por gjithashtu duhet të respektojë zërin e votuesve. Është edhe një mundësi tjetër, zgjedhjet e ardhshme, por do të shohim sesi do të zhvillohen gjërat më tej. Dua të shoh se të gjitha partitë politike janë së paku të përcaktuara e të fokusuara në perspektivën europiane dhe gjithçka lidhet me të”, tha Johannes Hahn, Komisioner për Politikat Fqinjësore Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit.

Për t’i bindur të ulen së bashku në sallën alternative të Kuvendit, Komisioneri i Bashkimit Europian i ka takuar udhëheqësit politikë fillimisht në takime të ndara.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Hahn është pritur në takim edhe nga Presidenti Hashim Thaçi, me të cilin kanë diskutuar për arritjet e fundit të Kosovës, por edhe për sfidat që e presin vendin drejt rrugës së integrimit europian.

Top Channel