Hamilton rikthehet frikshëm në Spanjë

14/05/2016 00:00

Hamilton rikthehet frikshëm, duke fituar pole position në Çmimin e Madh të Spanjës. Një rikthim prej kampioni i britanikut, që theu të gjitha rekordet e kësaj fundjave dhe i dha një sinjal shokut të tij të skuadrës Nico Rosberg, se ai është kampioni në fuqi.

Ka qenë një pasdite shumë e luftuar ajo në pistën e Barcelonës, ku Rosberg zbriti si triumfator me 4 gara radhazi të fituara, si edhe 2 pole position në garat e fundit. Dhe ishte pikërisht Rosberg ai që vendosi kohën më të mirë në sesionin e parë kualifikues, ndërsa që në këtë sesion u kuptua se ndjkësit e Mercedes do të ishin makinat Red Bull. Me Verstappen skuadra austriake arriti të vendoste kohën e tretë më të mirë në sesionin e parë.

Në sesionin e dytë në skenë u ngjit Hamilton. Britaniku e zbriti i pari kohën për këtë fundjavë nën rendin 1.22 dhe i dha një sinjal të fortë shokut të tij të skuadrës se pole position do të jetë shumë i luftuar. Gabimi që bëri në fillimin e sesionit të tretë krijoi iluzionin se Hamilton nuk ishte gati për një kundërpërgjigje, por xhiro e fundit e britanikut e pa kronometrin të ndalen ne kohën 1.22.00. duke vendosur rekordin e fundjavës, e njëkohësisht duke marrë edhe pole position, që i mungonte që nga Çmimi i Madh i Bahreinit. Ky ishte pole position i 52 në karrierë për britanikun.

Kohën e dytë më të mirë e vendosi Rosberg, pothuaj 3 të dhjetat më ngadalë se Hamilton. Linja e dytë e nisjes për garën e së dielës është e zënë nga të dyja makinat Red Bull, me Ricciardo që në çastet e fundit vendosi një kohë spektakolare 1.22.680. Verstappen do të niset i katërti. Te Ferrari kohën më të mirë e vendosi Raikkonen që do niset i pesti, ndërsa Vettel duhet të kënaqet me vendin e gjashtë.

Çmimi i Madh i Spanjës do të zhvillohet të dielën, duke filluar nga ora 14.00 dhe do të transmtohet direkt në Top Channel.

Top Channel