Shqipëria, “frikë” pas Europianit; Bunjaku: Emrat janë shumë, do kthehet borxhi

12/05/2016 00:00

I intervistuar nga Top Channel rreth dy vite më parë, Granit Xhaka, shqiptari i Kosovës që luan aktualisht për Zvicrën, i pyetur nëse një ditë Kosova do të njihej a do të rimendonte vendimin që ka marrë, ka lënë gjithçka të hapur.

“Jo nuk është e mbyllur, për momentin luaj akoma për Zvicrën. Jam shumë i kënaqur që luaj me këtë kombëtare, por nuk i dihet asnjëherë”, ishte shprehur Xhaka në vitin 2014.

Pas pranimit të Kosovës në UEFA, fenomeni Xhaka mund të kthehet në eksod masiv të yjeve shqiptarë drejt vendit të origjinës.

“Skuadra si Shqipëria dhe Zvicra mund të tremben, por ne jemi korrekt për të gjithë lojtarët që do të marrin pjesë në Europian pasi nuk do t’i përmendim tani. Më tej, pas 10 korrikut, të gjithë kanë të drejtën e tyre të vendosin ku do luajnë dhe e rëndësishme është që të respektohet vendimi i tyre nga të gjithë”, deklaroi trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku.

Ndërkohë për formimin e kombëtares së dytë shqiptare, këtë radhë me ngjyrat verdhë e kaltër ku mund të përfshihen emra të njohur në futbollin europian, Bunjaku shprehet se kanë përdorur një armë të fortë. “Jo vetëm që kemi shkuar derë më derë, por edhe tek gjyshërit e tyre”, tregoi ai.

Emrat që mund t’i bashkohen përfaqësueses së Kosovës janë yje të futbollit botëror. Të enjten, britanikja “The Sun” njoftoi se këtë fanellë mund ta veshë edhe Adnan Januzaj.

“Adnan Januzaj mendoj se është në një status njësoj si lojtarët që luajnë me Shqipërinë apo Zvicrën. Gjithsesi dera është e hapur dhe tani që jemi pranuar nga UEFA dhe FIFA”, vijoi Bunjaku.

Largimi i mundshëm i disa lojtarëve nga përfaqësuesja e Zvicrës apo e Shqipërisë dhe këtu bëhet fjalë jo vetëm për emrat e përfaqësueses A, por edhe tek moshat, mund të sjellë një dobësim të këtyre skuadrave, por Bunjaku mendon se ka ardhur momenti që si Zvicra ashtu edhe Shqipëria, duhet t’i kthejnë borxhin Kosovës.

“Në gjendjen që jemi tani, mendoj që Kosova duhet parë më shumë të ndihmohet si nga Zvicra dhe nga Shqipëria apo skuadra të tjera, ashtu si Kosova i ka ndihmuar këto vende”, u shpreh trajneri i përfaqësueses së Kosovës.

Në fund, Bunjaku tregon qartë ndarjen e territoreve për kërkimin e lojtarëve vendas, duke treguar një bashkëpunim të mundshëm rajonal, për zhvillimin e elementëve, por Kosova të tyret dhe Shqipëria të sajat.

“Shpresoj që të krijojmë në të ardhmen një projekt për zhvillimin e talenteve në rajon, Kosova në vendin e saj dhe Shqipëria në të sajin. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu për shumë kohë”, tha Bunjaku.

Top Channel