Kosovë, monument me pjesëza formuese për Ditën e Europës

09/05/2016 00:00

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë kanë zbuluar një monument për Ditën e Europës. Sipas ideatorit të projektit, simbolika e këtij instalacioni, që imiton një “lojë formuese”, është se Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Kosovën.

“Bashkimi Europian është i ndërtuar mbi vlerat e shumë popujve dhe shumë shteteve. Kosova nuk mund të jetë copëza e munguar në tërësinë e saj, siç e paraqet edhe kjo lego”, tha Petrit Zeneli, ideator i projektit.

Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku tha se, për Kosovën nuk ka ndonjë rrugë për t’i rënë shkurt për në Bashkimin Europian.

“Rruga që kemi përpara mbetet ende shumë e komplikuar, siç është edhe ky labirint mbrapa nesh. Mirëpo tani që kemi gjetur shtegun, ne do të vazhdojmë të sigurtë, edhe pse e dimë se nuk ka shteg të shkurtër drejt Bashkimit Europian. Në këtë labirint të publikuar ne do të dimë të gjejmë lidhjen dhe do të vazhdojmë me hapa të sigurta deri në destinacionin përfundimtar, që është: ta bëjmë Kosovën zyrtarisht pjesë të Bashkimit Europian”, tha Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Europian.

Kosova vazhdon të jetë shteti i vetëm, në të cilin institucionet pushojnë për festën e Ditës së Europës. Për këtë festë zyrtare në Kosovë, të hënën është stolisur edhe sheshi “Nënë Tereza”, ku janë zhvilluar disa aktivitete për fëmijë, ndërsa krerët më të lartë të shtetit kanë premtuar përmes deklaratave për media se, do të punojnë më shumë në rrugën e integrimit europiane të Kosovës.

Top Channel