Gara sportive edhe për ushtarët e plagosur, ceremonia hapet nga Princ Harry

09/05/2016 00:00

Në çeljen e lojërave “Invictus” në Orlando të Floridës, një ngjarje sportive që kremton rimëkëmbjen e tyre jo vetëm fizike, Princ Harry i Britanisë së Madhe dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama, iu bënë homazhe ushtarëve të plagosur.

Procesi i shërimit të veteranëve të luftës ka qenë në fokusin e pjesëtarit të familjes mbretërore britanike, që prej ceremonisë përuruese të lojërave në Londër në 2014-n. Vëmendjen e Princit nuk e kanë tërhequr vetëm dëmtimet e jashtme, por edhe stigma e të ashtuquajturave “plagë të padukshme”, siç është stresi post-traumatik dhe depresioni.

“Garuesit e ‘Invictus’-it nuk kanë kapërcyer vetëm plagët fizike. Secili prej tyre është përballur edhe me sfida të tmerrshme emocionale e mendore. Kur i japim ovacionet tona të fuqishme një konkurruesi pa gjymtyrë, le t’i hapin zemrat me të njëjtin entuziazëm edhe atij që është përballur me makthe aq të mëdha, sa nuk e linin të dilte nga shtëpia”, tha Princ Harry.

Në lojërat e dyta të organizuara deri më tani, për 4 ditët në vijim do të konkurrojnë mes tyre ushtarë nga vende si Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja apo Australia, të cilët kanë mbetur të plagosur nëpër luftra. Ngjarja e vetme sportive e përshtatur për ushtarët e lënduar në detyrë është mbështetur fuqimisht nga Michelle Obama.

Top Channel