Koreja e Veriut “vetëkufizon” përdorimin e armëve bërthamore

08/05/2016 00:00

Udhëheqësi i Koresë së Veriut deklaroi se, vendi i tij nuk do të përdorë armë bërthamore, nëse nuk kërcënohet sovraniteti i tij. Koreja komuniste testoi armën e saj të parë bërthamore në vitin 2006, pasi u tërhoq nga një traktat ndërkombëtar.

Ajo ka bërë vazhdimisht kërcënime për sulme bërthamore ndaj Koresë së Jugut dhe SHBA-ve. Por, kreu Kim Jong-un deklaroi para Kongresit të Partisë së Punëtorëve se, ai është i gatshëm që të normalizojë raportet me vendet që konsiderohen armiqësore.

Megjithatë, analistët thonë se, Kim ka tendencë të japë mesazhe të ndryshme, ndërsa lëvizjet e vëzhguara nga satelitët në bazat bërthamore tregojnë se, po përgatitet një tjetër test bërthamor.

Mediet shtetërore koreanoveriore raportuan se, Kim Jong-un deklaroi në Kongres se duhet të zhvillohen më shumë bisedime me fqinjët jugorë, në mënyrë që të ndërtohet besimi dhe mirëkuptimi. Ai theksoi gjithashtu se, Koreja e Veriut do të përmbushë detyrimet e saj në kuadër të mosarmatosjes bërthamore, ndërsa gjithashtu do të përpiqet për çarmatosjen globale bërthamore.

Kongresi i partisë komuniste koreanoveriore, i zhvilluar në kryeqytetin Penian ishte i pari që prej vitit 1980. “Si një vend i përgjegjshëm me fuqi bërthamore, vendi ynë nuk do të përdorë kurrë armët bërthamore nëse nuk sulmohet më parë me armë të tilla nga armiqtë”, cituan mediet udhëheqësin e tyre.

Ai tha gjithashtu se, Koreja e Veriut do të përmirësojë marrëdhëniet me ato vende që respektojnë sovranitetin e saj, edhe pse disa prej tyre mund të kenë qenë armiqësore në të shkuarën.

Top Channel