Siri, sulmi ajror mbi kampin e refugjatëve vret të paktën 28 vetë

05/05/2016 00:00

Të paktën 28 persona, përfshi këtu gra e fëmijë, kanë mbetur të vrarë këtë të enjte, si pasojë e një sulmi nga ajri mbi një kamp për të zhvendosurit e brendshëm në provincën Idlib të Sirisë, shumë pranë kufirit me Turqinë. Lajmi është konfirmuar nga Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër, që citon edhe dëshmitarë nga vendngjarja.

Numri i viktimave nga kampi i ngritur pranë qytetit të Sarmadës pritet të rritet, kjo për shkak të të plagosurve rëndë nga ky sulm ajror. Pamjet e publikuara nëpër rrjete sociale tregojnë shkatërrimin që ka pësuar kampi Kamouna, në Sarmada të Idlibit kufitar me Turqinë.

Disa raportime bëjnë të ditur se sulmi ishte ndërmarrë nga avionët luftarakë sirianë ose rusë, por kjo ende nuk është konfirmuar. Goditja fatale vjen vetëm një ditë pas konfirmimit të zgjerimit të marrëveshjes së paqes mes palëve ndërluftuese. Ushtarakët besnikë të Bashar al-Assadit dhe forcat rebele antiregjim ranë dakord për një armëpushim të përkohshëm përreth qytetit të Aleppos, pas presionit të ushtruar nga SHBA-të dhe Rusia.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se, nëse armëpushimi mbarëkombëtar do të dështojë, kjo do të ishte “katastrofike” dhe mund të detyronte edhe mbi 400 mijë njerëz të tjerë të largoheshin si refugjatë, kryesisht në drejtim të kufirit me Turqinë.

Top Channel