Gashi e Rrahmani, në formacionet e javës në SHBA e Kroaci

03/05/2016 00:00

Shkëlzen Gashi është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në kampionatin amerikan. Në rreshtimin 3-5-2, ai është vendosur në krahun e djathtë të mesfushës, pas dy sulmuesve të njohur Drogba-Villa.

Colorado Rapids, ekipi me të cilin luan sulmuesi i kombëtares sonë të futbollit, barazoi në fundjavë 2-2 ndaj Montreal Impact, duke shënuar një gol e duke u vlerësuar lartë për lojën e tij.

Kjo nuk është hera e parë që Gashi përfshihet në formacionin e javës, pasi edhe në javën e 5 ai ishte përzgjedhur në 11-shen më të mirë. Në llogarinë e tij në “Facebook”, Gashi publikoi edhe fanellën e Drogbasë të cilën ish-sulmuesi i Chelseat ia kishte dhuruar atij.

Ndërkohë, edhe kapiteni i kombëtares shqiptare U-21, Amir Rrahmani, vazhdon të shkëlqejë në kampionatin kroat të futbollit, ku thuajse çdo javë përzgjidhet në formacionin ideal.

Pas barazimit pa gola të kësaj fundjave të RNK Split kundër Rijekës, emri i Rrahmanit është renditur përsëri mes të dalluarve të javës dhe nuk është çudi që në fund të edicionit, ai të votohet si mbrojtësi më i mirë i kampionatit.

Nuk përjashtohet mundësia që ai të ndryshojë ekip në verë, meqë për mbrojtësin po interesohet Dinamo e Zagrebit.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel