NBA, Golden State kalon në raundin tjetër të “playoff”-it

28/04/2016 12:05

Golden State Warriors është skuadra e radhës që pret biletën për në gjysmëfinalen e Konferencës së Perëndimit. Skuadra kampione në fuqi e NBA, edhe pse pa Stephen Curry, fitoi sfidën e pestë me Houston Rockets me rezultatin 114-81. Në “Oracle Arena” u pa vetëm një skuadër, Warriors, që u drejtua drejt këtij suksesi nga Klay Thompson.

Basketbollisti nga Uashingtoni shënoi 27 pikë në këtë përballje, 21 nga të cilat nga distanca e 3 pikëve. Për Houston nuk mjaftoi paraqitja e Harden (35 pikë) për të frenuar kalimin e Golden State në gjysmëfinale të Perëndimit për të dytin vit radhazi, ku do të presë fituesin e çiftit Portland Trail Blazers-Los Angeles Clippers. Seria e ndeshjeve në këtë përballje kryesohet nga Trail Blazers 3-2 pas fitores 108-98 në ndeshjen e pestë me Clippers në “Staples Center”.
 
Në Konferencën e Lindjes, Charlotte Hornets shkakton befasinë e madhe, pasi mundi Miami Heat në Florida me rezultatin 90-88. Në “American Airlines Arena”, shikuesit u bënë dëshmitarë të sfidës më të ekuilibruiar të mbrëmjes, me skuadrën e Hornets që zhvilloi një lojë intensive e plot kurajo, ndërkohë që nuk munguan as gabimet arbitrare. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi është se Charlotte kryeson 3-2 serinë e ndeshjeve me Miamin, me këtë të fundit që do të jetë i detyruar të fitojë me çdo kusht ndeshjen e gjashtë në “Time Warner Cable Arena”.

Top Channel