Në Venezuelë punohet 2 ditë

27/04/2016 00:00

Punonjësit e sektorit publik në Venezuelë do të punojnë tani vetëm dy ditë në javë. Qeveria shpreson se kjo masë e përkohshme do të ndihmojë në tejkalimin e krizës serioze të energjisë.

Zv.presidenti, Aristobulo Isturiz, njoftoi se deri në përfundim të krizës nëpunësit duhet të paraqiten në punë vetëm të hënave dhe te martave. Venezuela po përballet me një thatësirë të madhe, e cila ka reduktuar në mënyrë dramatike nivelet e ujit në hidrocentralet e saj kryesore.

Por opozita akuzon qeverinë për keqmenaxhim të krizës. Masa e re, e njoftuar gjatë një fjalimi televiziv nga zv.presidenti, do të prekë 2 milionë punonjës të sektorit publik.

Më herët, Presidenti Nicolas Maduro, u kishte dhënë të premten pushim shumicës së 2.8 milionë të punësuarve në administratën shtetërore, përgjatë muajit prill dhe maj, për të reduktuar konsumin e elektricitetit.

Sipas tij, Venezuela është goditur rëndë nga fenomeni “El Nino” dhe do të rikthehej në normalitet me rinisjen e shirave. Në përpjekjen për të menaxhuar krizën, qeveria ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera. Në shkurt qendrave tregtare  ju kërkua të mbylleshin më shpejt dhe të gjeronin vetë energjinë e tyre.

Top Channel