Ekstradohet Abdeslami. Arkitekti i sulmeve të Parisit rikthehet në vendin e krimit

27/04/2016 00:00

Belgjika ekstradoi në Francë të dyshuarin e sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam, për t’u përballur atje me procesin gjyqësor. 26-vjeçari u plagos e u arrestua gjatë një sulmi dramatik më 18 mars në Bruksel pas 4 muajsh arratie, kohë përgjatë së cilës forcat belge të sigurise ishin vënë ethshëm në kërkim të tij.

Abdeslami, shtetas francez, është lindur në fakt në kryeqytetin, ku edhe ka jetuar përpara ngjarjeve tragjike të 13 nëntorit. Sulmet e koordinuara të militantëve të Shtetit Islamik në Paris kushtuan 130 jetë njerëzish, plagosën me dhjetëra të tjerë e tronditën rëndë ndjenjën e paprekshmërisë së një shteti europian.

Prokurori federal belg sqaroi se, Abdeslami iu dorëzua autoriteteve franceze mëngjesin e sotëm, duke zbatuar kështu mandatarrestin e lëshuar nga Franca më 19 mars. Nuk është ende e qartë për momentin se ku është dërguar saktësisht; gjithë çfarë dihet është se, së fundi ishte transferuar nga burgu i Bryzhit në atë të sigurisë së lartë të Beverenit, që ndodhet pranë Anversës.

Mbi atë, që deri para pak kohësh ishte njeriu më i kërkuar i Europës, rëndon akuza e “vrasjes terroriste”. Ndalimi i pjesëmarrësit të sulmeve të Parisit, që nuk e hodhi veten në erë si të tjerët, u pa si mundësi e mirë për të përftuar informacione të brendshme mbi ISIS-in. Por, ndonëse fillimisht ai u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me drejtësinë, pas shpërthimeve në Bruksel vendosi të mos fliste më.

Top Channel