Përmbysja e çmendur, ja sekreti i Juves

25/04/2016 00:00

Ishte çështje ditësh se kur Juventus do të zyrtarizonte titullin e pestë radhazi me të gjithë kundërshtarët që e njohën superioritetin e “zonjës së vjetër” edhe këtë sezon pavarësisht oshilacioneve.

Por, festa e bardhezinjve nuk duhet të bëjë të harrohet starti i dobët i kampionatit, që e bën “tringjyrëshin” e fituar, një superarritje të madhe dhe mision që konsiderohej i pamundur.

Kishte nga ata ekspertë që parashikonin daljen e Juventusit nga kupat europiane, madje nga ata që prisnin kampionët të luftonin për mbijetesë. Por shumë shpejt nisi seria e fitoreve, rekordet e Buffon dhe 73 pikë në 25 ndeshje.
 
Më 28 tetor, portieri veteran i torinezëve kritikoi publikisht ekipin pas humbjes ndaj Sassuolos, ndoshta momenti më i ulët i sezonit italian të Juventus. Marshimi për titullin nisi pikërisht aty pasi “zonja e vjetër” nuk humbi më.
 
Në Itali është rregull i pashkruar që fiton kampionatin skuadra me mbrojtjen më të mirë, dhe Juventusi aktual nuk bën përjashtime. Në 10 ndeshje me portën të paprekur, ky ishte rekord më vete. Trendi i murit të pakalueshëm ishte konstant në fazën e dytë me vetëm 3 gola në 19 ndeshje.
 
Faktor i rëndësishëm në rikonfirmimin e fronit të futbollit italian ishte dhe Gianluigi Buffon. Ai kaloi rekordin e pathyeshmërisë së Sebastiano Rossit, duke u mundur vetëm pas 973 minutash lojë nga penalltia e Belotit.

I fundit në radhën e meritave por jo më i parëndësishmi, Masimiliano Allegri. Trajneri mund të bëhet i pari që fiton dy herë me radhë kampionat dhe Kupë, nëse Juve do rrëmbejë dhe trofeun e fundit të Apenineve këtë sezon.

Top Channel