Riyad Mahrez shpallet “Lojtari i vitit” në Angli

25/04/2016 00:00

Riyad Mahrez është shpallur “Lojtari i vitit” në Angli nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë për sezonin 20015-16. Algjeriani 25-vjeçar ka qenë njëri nga lojtarët kyç në marshimin e Leicester drejt titullit me 17 gola e 11 asiste në 33 ndeshje këtë sezon.

Numri 26 i Leicester arriti të tirumfojë në konkurrencë me shokët e skuadrës, Jamie Vardy e N’Golo Kante, me sulmuesin e Tottenham, Harry Kane, mesfushorin e Arsenalit, Mesut Ozil, dhe atë të West Ham, Dimitri Payet.

“Të gjitha meritat për këtë çmim shkojnë për shokët e skuadrës, trajnerin dhe stafin. Pa ta nuk do t’ia kisha dalë, prandaj dua t’ju dedikoj atyre. Jam shumë i nderuar që pranoj këtë çmimim. E bën edhe më të veçantë fakti që jam votuar nga lojtarët e tjerë, prandaj jam shumë i lumtur”, deklaroi Mahrez pas pranimit të çmimit në ceremoninë në Londër.

Ndërkohë, 20-vjeçari i Tottenham, Dele Alli, është shpallur “Lojtari i ri i vitit”. Në 32 ndeshje me skuadrën nga veriu i Londrës, Alli ka shënuar 10 gola si dhe ka asistuar në 9 raste.

Për shkak të angazimeve me skuadrën e cila luan sonte me West Brom, Alli nuk ka qenë prezent në ceremoni, por përmes një videomesazhi ka falënderuar të gjithë ata që e kanë votuar.

Si Alli, ashtu edhe Mahrez, janë përfshirë edhe në 11-shen me të mirë të vitit për sezonin 2015-16.

Top Channel