Tirana kundër arbitrit. Muzaka i dëmtuar

18/04/2016 00:00

Ndalesa e detyruar në Ballsh këtë fundjavë e ka distancuar edhe më shumë Tiranën nga i vetmi objektiv real që prej nisjes së kategorisë Superiore, pasi bardheblutë tani janë 4 pikë larg vagonit të fundit në trenin që të çon në Europa Ligë. Aktualisht formacioni kryeqytetas është në vendin e pestë.

Por, ekipi i trajnerit Ilir Daja ka dalë publikisht kundër Arbitrit Kridens Meta, për gjykimin në stadiumin “Adush Muça”.

KF Tirana denoncon publikisht gjithçka ka ndodhur në ndeshjen e luajtur të dielën në Ballsh. Gjyqtari Meta dhe ndihmësit e tij janë bërë protagonistë, duke dëmtuar jo vetëm ndeshjen, por dhe të gjithë investimin, mundin dhe objektivat e klubit tonë.

“Duke mos e parë si një rast të izoluar, por si një ngjarje të përseritur, KF Tirana dënon ashpër gjykimin tendencioz që përcaktoi fatin e takimit në stadiumin e Ballshit. Nuk është hera e parë këtë sezon që Tirana penalizohet qëllimisht. Përgjatë gjithë takimit gjyqtari ka lejuar ndërhyrje antisportive, ndërkohë që në fund ka mohuar një11-metërsh të pastër. KF Tirana kërkon të respektohet investimi, mundi dhe emocionet e të gjithë komunitetit bardheblu si dhe të merren masa për të ndëshkuar gjyqtarët që përcaktojnë ndeshjet apo vendosin t’i dëmtojnë ato”.

Si të mos mjaftonin rezultatet, Tirana humbet në finishin e sezonit një lojtar thelbësor si Gjergji Muzaka.

Mesfushori ka pësuar një frakturë në shpatull gjatë ndeshjes me Bylisin dhe kontrolli i kryer ka rezultuar aspak pozitiv për të. Klavikula e shpatullës ka pësuar një frakturë të rëndë dhe për pasojë futbollistit i duhet të qëndrojë për të paktën dy javë jashtë fushave të blerta. E sigurt është mungesa në ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut.

Top Channel