Superliga, Skëndërbeu gjunjëzohet nga Tërbuni në Korçë

16/04/2016 00:00

Tërbuni është surpriza e javës së 30 në Superligë, pasi pukjanët e vendit të fundit mposhtën 2-3 Skënderbeun në Korçë. Pritej të ishte një ndeshje dhe një fitore e lehtë për ekipin e Mirel Josës, por ndodhi e kundërta.

Ishte Tërbuni ai që e mbylli pjesën e parë me avantazhin 0-2 falë golave të Lalës dhe Jovaniç. Në pjesën e dytë Skënderbeu u mobilizua dhe falë presionit të vazhdueshëm dhe eksperiencës arriti të barazojë me Salihin dhe Plakun.

Korçarët madje ishin shumë pranë përmbysjes, por goli i Karakacit pas një kudnërsulmi të shpejtë në minutat shtesë i dha fitoren skuadrës pukjane dhe njëkohësisht një mundësi Partizanit të shkurtojë diferencën e pikëve me Skënderbeun, i cili pësoi humbjen e parë në shtëpi gjatë këtij sezoni.

Surprizë, por jo aq sa Tërbuni mund të quhet edhe Flamurtari i cili përmbysi rezultatin dhe mposhti 1-2 Laçin, skuadër e cila duket se e ka lënë Superligën dhe e ka përqendruar të gjithë vëmendjen të gjysëmfinalja e së mërkurës me Skënderbeun.

Golit të Cetkoviç, vlonjatët iu kundërpërgjigjën në pjesën e dytë me Alvesh dhe Da Silva, 2 gola këto që i japin mundësinë Flamurtarit të marrë një tjetër fitore të rëndësishme në luftën për mbijetesë.

Teuta dhe Kukësi u ndanë në barazim pa gola, një rezultat ky që lë të pandryshuar situatën e këtyre dy skuadrave në renditjen e SUperligës, me Kukësin në vendin e tretë me 52 pikë dhe teuta një vend më poshtë me 49 pikë.

Top Channel