Fyerje ndaj futbollistit shqiptar, Ibraimi braktis Maribor

12/04/2016 00:00

Futbollisti me kombësi shqiptare, Agim Ibraimi, është bërë protagonist pa dashur i një episodi racist në Ligën sllovene, që për nga përmasat duket vërtet i rëndë duke gjykuar dhe vendimin e ekstrem të lojtarit për të lënë ekipin.

Sulmuesi nga Tetova që militon me kombëtaren e Maqedonisë ka konfirmuar se do të largohet nga skuadra e njohur e Mariborit, për shkak të fyerjeve të rënda ndaj origjinës, familjes dhe fesë nga drejtori teknik i ekipit, Zlatko Zahovic.

Nëpërmjet faqes së fansave në “Facebook”, 27-vjeçari ka zbuluar edhe komunikimin me mesazhe me drejtuesin e klubit, ku konfirmon fyerjet dhe ofendimet e bëra në adresë të tij.

Në situatën e krijuar, gjatë bashkëbisedimit me drejtorin teknik, Zahovic, Agim Ibraimi ka njoftuar edhe se në përfundim të sezonit do të largohet nga Maribori, duke mos harruar të theksojë se skuadrën do ta mbajë në zemër.
 
Me Mariborin që është në garë për të mbrojtur titullin edhe në këtë sezon, lojtari i lindur në Tetovë ka shënuar 10 gola në 27 ndeshje të kampionatit. Agim Ibraimi ka luajtur 39 ndeshje me kombëtaren e Maqedonisë duke shënuar 9 gola.

Duhet theksuar se iniciatori i konfliktit, Zlatko Zahovic është një emër jo pak i njohur në futbollin botëror. Ai fitoi zemrat e tifozëve në Botërorin 2000, me teknikën dhe golat që e krahasonin me Beckham. Zahovic është me origjinë serbe.

Top Channel