Daçiç në Kosovë: Presim ndëshkimin e shqiptarëve për krime ndaj serbëve

10/04/2016 00:00

Pas Kryeministrit të Serbisë, Kosovën e ka vizituar edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili në manastirin e Gracanicës u prit nga qindra simpatizantë. Ai deklaroi lidhur me Gjykatën Speciale, nga e cila tha se pret të procedohen krimet ndaj serbëve.

“Ekzistojnë gjykata, të cilat duhet të vërtetojnë se kush ka kryer krime. Askush nuk ka kryer krime lufte në emër të shtetit serb, ekzistojnë emra dhe mbiemra të njerëzve. Së shpejti do ta kemi edhe Gjykatën Speciale për krimet e luftës ndaj serbëve dhe do të shohim se a do të procedohen në gjykatë këto krime.. Nuk kemi asnjë dilemë, të gjitha krimet e luftës duhet të hulumtohen dhe procedohen”, tha Daçiç.

Ndërsa, nga qyteti i tij i lindjes, Prizreni, Daçiç nuk ka pranuar të tregojë nëse ndonjëherë Serbia do t’i kërkojë falje Kosovës.

Daçiç deklaroi se primare për Serbinë është mbrojtja e interesave shtetërore, duke shtuar se janë në pritje të krijimit të Asociacionit të Komunave më shumicë serbe. Ai tha se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel mes tij dhe Hashim Thaçit, është në interesin e bashkëjetesës, stabilizimit dhe paqes.

Vizitën e tij në kisha dhe manastire Pejë, Prizren dhe Gracanicë,  Daçiç e ka vlerësuar si me rëndësi jetike për shtetin serb, pasi siç tha ai, triumfit në rastin e UNESCO-s. Ai theksoi se Kosova ka provuar të anëtarësohet pa asnjë lloj marrëveshje dhe se kjo është një temë që duhet të diskutohet seriozisht.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, me cinizëm ka komentuar deklaratën e ministres për dialog Edia Tahiri, se nuk do të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Vizitës së tij në Gracanicë, i parapriu arrestimi i një qytetari serb, i cili vendosi një pankartë lidhur me një aferë korruptive të Daçiç.

Top Channel