Superliga, Laçi largon Partizanin nga titulli

02/04/2016 00:00

Ylli me pesë cepa dhe fanela e re nuk i sjellin fat Partizanit, i cili barazoi pa gola në Laç. Të kuqtë e drejtuar nga Agostinelli e kërkuan shumë golin e fitores, por lojtarët e sulmit ishin të pasaktë para portës kurbinase.

Ky rezultat nuk i shërben aspak Partizanit, i cili tashmë e sheh veten 6 pikë larg Skënderbeut kryesues. Korçarët e drejtuar nga Mirel Josa, të cilët po shkojnë drejt titullit të 6 kampion rradhazi, mposhtën 2-1 Vllazninë falë golave të Latifit dhe Renatinjos.

Kukësi mundi 0-2 Bylisin në Ballsh, duke konsoliduar pozitat në vendin e tretë në renditjen e Superligës. Dvornekoviç dhe Flores ishin autorët e golave për skuadrën e Kukësit, e cila tashmë ngjitet në kuotën e 48 pikëve.

Flamurtari mori një barazim 1-1 në Durrës dhe 1 pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Hoxha ishte autori i golit të vetëm për skuadrën e Maganit, ndërsa për vlonjatët shënoi Danilo në pjesën e dytë.

Java e 28 e Superligës do të mbyllet të dielën me sfidën Tirana-Tërbuni.

Top Channel