Frikë nga heqje pikësh, Tirana zbraz arkën për borxhet

31/03/2016 00:00

Frika për heqje pikësh nga ana e FIFA-s dhe përkeqësimin e situatës për shkak të borxheve, ka detyryar drejtuesit e skuadrës së futbollti të Tiranës që të nisin shlyerjen e detyrimeve.

Borxhet e trashëguara ndaj klubeve të njohura si Panathinaikos apo edhe ndaj lojtarëve enigmë që janë aktivizuar vetëm pak minuta me bardheblutë, kanë qenë së fundmi në fokusin e ekipit kryeqytetas që publikoi edhe detajet e fundit.
 
“KF Tirana ka përfunduar me sukses një proces të vështirë likuidimesh të një numri të madh borxhesh të prapambetura. 198 mijë euro janë derdhur në llogaritë e futbollistëve duke shmangur penalitetet që i kanoseshin klubit nga FIFA dhe UEFA. KF Tirana prej disa ditësh kishte nisur këtë proces që kulmoi të enjten me zgjidhjen e premtuar nga presidenti Halili vetëm pak kohë më parë. Çështje të mbartura prej kohësh kishin krijuar një problem që meritonte zgjidhje. Klubi ka punuar me seriozitet duke i ndjekur çështjet te veçuara nga njëra tjetra dhe duke i dhënë më pas një zgjidhje të menjëhershme për të shmangur pasojat negative. KF Tirana ka ulur shumë borxhin e përgjithshëm të klubit të mbartur nga vitet e tranzicionit. Shumë shpejt ky borxh do të zerohet për të rikthyer në normalitet situatën dhe vijuar punën për një të ardhme të sigurtë”, thuhet në deklaratën e KF Tirana.

Më herët një tjetër skuadër shqiptare, Flamurtari është kërcënuar me heqje pikësh nëse nuk paguan 17 mijë euro për Rajovic. Klubi vlonjat duhet të shlyejë borxhin brenda një jave në të kundërt rrezikon sanksione që ka vuajtur edhe më parë si në rastin e mbrojtësit Toni Pezo.

Top Channel