Barça mund Realin, i paguan më shumë lojtarët e saj

31/03/2016 00:00

“El Clasico” e së shtunës në “Camp Nou” mes Barcelonës dhe Realit të Madridit do të jetë edhe përballja e skuadrave më të fuqishme në aspektin financiar, gjë që duket në shpenzimet e bëra për pagat e futbollistëve të tyre.

Diferencat në këtë pikë mes dy gjigandëve të futbollit spanjoll dhe europian nuk janë shumë të mëdha, por ata që janë në avantazh janë pikërisht katalanasit që shpenzojnë 11.4 milionë euro më shumë se madrilenët për futbollistët e tyre.

Kështu, shifra që Barcelona shpenzon për pagat e lojtarëve është 114.5 milionë euro kundrejt 103.1 milionëve të Realit.

Te kampionët e Spanjës, më i paguari është padyshim Lionel Messi me 21.2 milionë euro, ndërkohë që 2 partnerët e tij të sulmit Neymar e Suarez janë shumë të distancuar prej tij, pasi secili prej tyre përfiton 10 milionë euro. Pas tyre gjendet Iniesta me 7.5 milionë i ndjekur nga Rakitic, Buskets, Alves, Pique e Mascherano.

Në krahun tjetër, listën e më të paguarve e kryeson Cristiano Ronaldo me 21 milionë euro. Vendin e dytë e mban Sergio Ramos që me kontratën e rinovuar përfiton 10 milionë euro, ndërkohë që podioumin e plotëson Gareth Bale me 9 milionë euro në sezon, ndërkohë që pas uellsianit gjenden Benzema e James Rodriguez.

Top Channel