UEFA kërkon parullën

28/03/2016 00:00

UEFA flet edhe shqip. Në faqen e saj zyrtare të dedikuar për “Francë 2016”, organizmi më i lartë i futbollit europian ka publikuar 3 slogane në gjuhën tonë.

“O sa mirë me qenë shqiptar”, “Fluturo shqipe” dhe “Ti Shqipëri më jep nder”, janë tri alternativat e dhëna në votimin e UEFA-s. Ajo që merr më shumë vota do të stampohet në autobusin me të cilin djemtë e De Biasit do të lëvizin gjatë këtij turneu.

Slogani i parë njihet si slogan i “Tifozave Kuq e Zi”, grupimi më i madh i tifozave që mbështesin kombëtaren tonë në ndeshjet brenda dhe jashtë vendit, ndërsa i treti, i marr nga vargjet e Naim Frashërit, është stampuar edhe në fanelat e reja të përfaqësueses sonë.

Votimi në faqen e UEFA-s do të zgjasë deri me datë 2 maj, ditë kur do të publikohet dhe slogani fitues.

Përfaqësueset e mëdha si Gjermania, Spanja, Italia, Franca apo dhe Anglia e kanë bërë të qartë edhe me slogane pretendimet e tyre për fitimin e këtij turneu. Një nga 3 sloganet e këtyre përfaqësueseve ka fjalën “kupë”, trofeu qe kombëtaren fituese e shndërron në mbretëreshën e Europës.

Ndërkohë, për sloganin tuaj të preferuar për përfaqësuesën tonë mund të votoni edhe në sondazhin e Top Channel (kliko kërtu për të votuar).

Top Channel