Sistemi i ftohjes shkaktoi zjarrin tek makina e Raikkonen

24/03/2016 00:00

Ferrari shfaqi përmirësime në krahasim me kampionatin e shkuar në garën e parë të Formula 1 këtë sezon, por sërish ishte pas Mercedesit.

Vettel mbylli garën në vendin e tretë, por fati nuk i buzëqeshi kaq shumë pilotit tjetër të “Kokëkuqes”. Kimi Raikonen u detyrua të braktisë garën në xhiron e 21 pas flakëve që përfshinë motorin e tij.

Inxhinierët dhe mekanikët e Ferrarit nisën punën për të zbardhur se çfarë ndodhi menjëherë pas përfundimit të garës dhe tashmë kanë dalë me një rezultat.

Sipas skuderisë italiane, një problem në sistemin e ftohjes së turbos ka shkaktuar nxehjen e makinës dhe shpërthimit të flakëve në të.

Në dukje riparimi nuk duket i vështirë për inxhinierët në Maranello, por është një telash i madh për Raikkonen, i cili humbet menjëherë njërën nga pesë njësitë turbo që i lejohet të përdorë në 21 garat e kampionatit, pasi nga e gjashta do t’i duhet të përballet me penalizime në vijën e nisjes së garës.

Kjo ka bërë që në Maranello gjendja e alarmit të vazhdojë të jetë konstante dhe i vetmi avantazh për “Kokëkuqen” në garën e dytë, atë të Bahreinit, që zhvillohet më 3 prill, është moti disi më i freskët se ai në Australi.

Top Channel