Premier, Leicester bën gati rinovimin me trajnerin Ranieri

16/03/2016 00:00

Leicester nuk dëshiron të humbasë trajnerin Claudio Ranieri. Drejtuesit e klubit anglez, që kanë shkaktuar befasinë në Premier League, po bëhen gati t’i ofrojnë trajnerit italian rinovimin e kontratës, që skadon në vitin 2018, ndërkohë që në atë aktuale ekzistion një klauzolë, që e lejon Ranierin të ikë nëse e kërkon ndonjë klub i rëndësishëm europian.

Leicester i ka kaluar të gjitha pritshmëritë dhe kryeson në kampionatin anglez me 5 pikë kundrejt vendit të dytë, që mbahet nga Tottenham, kur kanë mbetur edhe 8 ndeshje nga përfundimi i kampionatit.

Nëse kjo skuadër, e njohur me nofkën “Dhelprat”, do të arrijë të shpallet kampion, atëherë klubi do të nisë një projekt të ri me në krye teknikun roman. Ideja e Leicester është që të përdorë të ardhurat, që do të përfitohen nga triumfi në kampionat dhe kualifikimi në Champions, për të përforcuar skuadrën dhe për të qenë protagonistë edhe në sezonet e ardhshme.

Vlen për t’u theksuar se, Claudio Ranieri është një prej kandidaturave për të marrë drejtimin e kombëtares italiane, në vend të Antonio Contes, i cili do të largohet nga “të kaltrit” në përfundim të Europianit të Francës.

Top Channel