Superiorja, Vllaznia mund Tiranën. Kukësi dhe Teuta në garë për vendin e 3

13/03/2016 00:00

Vllaznia triumfoi në derbin e Shqipërisë dhe rikonfirmoi krizën që po kalon skuadra e Tiranës. Shkodranët e drejtuar nga Cungu mundën 3-1 bardheblutë falë golave të Cicmil, Shtubinës dhe Kalajës, një 3 pikësh ky që i largon ata përfundimisht nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Kukësi vuajti shumë ndaj Tërbunit por në fund arriti të fitojë 1-0 e të mbajë vendin e tretë në klasifikimin e Superligës.

Emini me golin e shënuar në pjesën e dytë vazhdon të tregojë se afrimi i tij në merkaton e janarit është zgjedhja më e mirë që kanë bërë drejtuesit e Kukësit në këtë sezon. Për sulmuesin shqiptar nga Maqedonia ky ishte goli i 7 me fanelën e Kukësit.

Në luftë për vendin e tretë mbetet edhe Teuta e cila mundi në transfertë 1-2 Laccin, humbja e 4 radhazi për ekipin e Nicës në fushën e vet. Golat për skuadrën durrsake u shënuan nga Xhonatan dhe Magani ndërsa për Laccin shënoi Ademir.

Në sfidën tjetër të së dielës, Flamurtari dhe Bylisi kanë ndarë nga 1 pikë pas barazimit 0-0, një rezultat që mban të palëvizur pozicionet e këtyre dy skuadrave në renditje.

Java e 26 e Superligës do të mbyllet të hënën me supersfidën Partizani-Skënderbeu, përballje e cila do të transmetohet direkt në Supersport në orën 19:00.

Top Channel