Kosovë, 8 Marsi iu kushtohet grave e vajzave të dhunuara gjatë luftës

08/03/2016 00:00

Dita ndërkombëtare e Gruas, në Kosovë iu është kushtuar rreth 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës u organizua një seancë solemne, ku u shfaq dokumentari kushtuar këtyre grave i titulluar “Mendoj për ty”. Kjo nismë është mbështetur nga Presidentja në largim, Atifete Jahjaga, e cila ka themeluar gjatë mandatit të saj edhe Këshillin kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

“Rrëfimi i sotëm është rrëfim guximi, kurajoje, rrëfim i mijëra grave dhe vajzave të Kosovës, të cilat nën hijen e heshtjes dhe të fajësimit, nën hije dhe nën plagët e hapura të këtij krimi mizor, gjetën kurajën dhe forcën për të mbijetuar”, tha Atifete Jahjaga.

Gjatë ditës, krerët e shtetit kanë vënë tufa me lule edhe në memorialin “Heroinat”, kushtuar viktimave të dhunës seksuale.

Ndërkohë, në Kosovë ekziston një ligj, ku përfshihet edhe trajtimi i viktimave të përdhunimeve të luftës, i miratuar në 2014-n, por që sipas Lëvizjes Vetëvendosje nuk po zbatohet ende.

“Gjendja e viktimave të dhunimit seksual ka ndryshuar vetëm në aspektin formal e juridik, duke i njohur si kategori të dala nga lufta. Përndryshe, asnjë hap institucional nuk është ndërmarrë rreth përkujdesjes apo drejtësisë së kërkuar”, tha Aida Dërguti, nënkryetare e Vetëvendosjes.

Komisioni për verifikimin dhe identifikimin e viktimave të dhunës seksuale, në bazë të të cilit do të zbatohet ligji, nuk është krijuar ende. Këtë e ka konfirmuar për Top Channel, drejtoresha e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Minire Begaj. Sipas saj, së shpejti do të hapet konkursi publik për anëtarët e komisionit qeveritar.

Top Channel