Marrëveshje bashkëpunimi mes avokatëve të Popullit: Preshevarët rrezikojnë

07/03/2016 00:00

Të drejtat e njeriut për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe kthimi së fundi i librave në Kosovë, i ka shqetësuar dy përfaqësuesit e Avokatit të Popullit në Prishtinë dhe Tiranë.

Gjatë vizitës në Kosovë, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani, së bashku me homologun kosovar, Hilmi Jashari, deklaruan se kanë zhvilluar takime me përfaqësues të Avokatit të Popullit në Serbi, por mandati i kufizuar nuk u lë hapësirë veprimi.

“Kemi trajtuar edhe çështjet që kanë të bëjnë me dokumentet e regjistrimit civil, si dhe rrezikun që i kanoset një pjese të madhe të kësaj kategorie njerëzish, sa i përket përfitimeve që mund të ketë nga shtetësia, sepse ka pasur tendenca për të fshirë edhe nga regjistrat e shtetësisë, por edhe përfitime të tjera që iu takojnë sipas ligjeve. Meqenëse mandati i Avokatit të Popullit shtrihet brenda territorit të Kosovës, ka qenë e vështirë për të bashkëpunuar me institucionet e tjera, që janë në atë pjesë të territorit”, tha Hilmi Jashari, Avokat i Popullit në Kosovë.

Sipas Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani, deri tani janë shfrytëzuar disa rrugë për të kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut në Luginën e Preshevës.

“Ndër dy instrumentet, së pari janë Ministritë e Jashtme të secilit vend, të cilat kanë për qëllim dhe bazë për funksionimin e tyre, mbrojtjen e interesave të shqiptarëve që jetojnë jashtë, dhe së dyti janë homologët tanë”, tha Igli Totozani, Avokat i Popullit në Shqipëri.

Këto deklarata u bënë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pika më e rëndësishme është ndihma e Shqipërisë për “Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës”, të themeluar së fundi në Kosovë.

Top Channel