Juventusi, drejt titullit të pestë radhazi

07/03/2016 13:20

Juventusi po vendos rekorde pas rekordesh brenda një sezoni duke bërë hapa gjigandë drejt titullit të pestë radhazi kampion në Itali. Shifrat flasin qartë për “Zonjën e Vjetër“ që po përjeton një formë fantastike. Kështu, në 18 ndeshjet e fundit bardhezinmjtë kanë grumbulluar 52 pikë nga 54 të mundshme, me 17 fitore dhe vetëm 1 barazim, atë me Bolonjën 0-0.

Në vitin 2016, Juventusi ka arritur në 31 pikë, gjë që nuk e ka bërë askush. Diferenca me Napolin tashmë është 3 pikë dhe Juventusi duket se nuk ka ndërmend të tolerojë më askënd.

Tjetër rekord për Juventusin në këtë sezon është regjistrimi i 9 ndeshjeve radhazi pa pësuar gol, ndërkohë që vlen të theksohet se “Zonja e Vjetër“ ka shënuar 14 gola në 15 minutat e fundit të ndeshjeve. Vetëm Lazio ka bërë më mirë në këtë pikë, me 15 gola në 15 minutëshin e fundit.

Vazhdon rrugën e rekordeve edhe Gianluigi Buffon, i cili ka arritur ta mbajë të paprekur portën e tij për 836 minuta.

Tashmë, Juventusi kërkon të konfirmohet edhe në Evropë dhe përballja që e pret është ajo me Bajernin e Mynihut në “Allianz Arena“, ku kampionët e Italisë do të kërkojnë kualifikimin mes 8 më të mirave të Ligës së Kampioneve.

Top Channel