Humbje 91 mln euro, Milan rrezikon penalizim nga UEFA

05/03/2016 00:00

Milani duket se po fillon të ndjejë hijen e rregullit të Fair Play Financiar. Klubi milanez në vitin 2014 regjistroi në bilancin e tij financiar një humbje prej 91 milionë Eurosh, duke rrezikuar penalizimin për mosrespektim të parametrave të vendosura nga UEFA.

Duke parë këtë situatë, Barbara Berlusconi është nisur menjëherë për në Nion të Zvicrës, për t’u takuar me Sekretarin e ri të Përgjithshëm të UEFA-s, Teodor Teodoridis, për të diskutuar për një plan financiar që do të paraqitet në fund të sezonit.

Respektimi i parametrave të Fair Play Financias pa Ligën e Kampioneve është një mision shumë i vështirë për t’u përmbushur dhe Milani rrezikon që të qëndrojë jashtë ngjarjes më të rëndësishme për klube, për të tretin vit radhazi. Por plani që ka përpiluar Barbara Berlusconi dhe pjesa tjetër e bordit të Milanit ka një afat 3 vjeçar.

Për vitin e parë, duke u bazuar edhe te situata aktuale, parashikimi është kualifikimi në Europa League, që padyshim garanton të ardhura. Edhe bilanci i vitit 2015 pritet të jetë sërish me humbje dhe Milani për të evituar sanksionet, duhet të paraqesë te UEFA një plan për uljen e këtyre humbjeve, ndërkohë që kjo çështje do të varet edhe nga rezultatet në fushën e lojës të skuadrës.

Top Channel