Thaçi paditet në Kushtetuese, opozita kundër mënyrës së zgjedhjes së Presidentit

04/03/2016 00:00

Opozita konteston mënyrën e zgjedhjes së Presidentit Hashim Thaçi, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Përmes kërkesës, që e dorëzuan të premten pasdite përfaqësuesit e tri partive opozitare, kërkohet që të gjykohen shkeljet e pretenduara në procedura dhe materiale.

Një prej tyre, – sipas opozitës, – konsiderohet edhe përjashtimi e nxjerrja jashtë me forcë e deputetëve opozitarë nga seanca e datës 26 shkurt.

Nga ana tjetër, një javë pas zgjedhjes së Presidentit, Kryesia e Kuvendit ka vendosur për seancën e re plenare më 10 mars, të cilën përfaqësuesja e opozitës në Kryesi tha se do ta bllokojnë.

“Gjatë mbledhjes së Kryesisë, kolegia e nderuar e opozitës paralajmëroi se do ta bllokojnë seancën. Më lejoni të theksoj se, vet mbajtja e seancës dhe emergjenca, në të cilën jemi duke e mbajtur atë, ka të bëjë me diçka që është jetike për qytetarët tanë, liberalizimin e vizave. Mesazhi ynë është që duhet komunikim e bashkëpunim”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Përveç paralajmërimit për bllokim të punës së Kuvendit, në një konferencë për shtyp opozita ka ftuar edhe për protesta të reja.

“Më 26 mars do të kemi protestën tonë të radhës. Protestën mbarëpopullore, që do të organizohet duke nisur nga ora 14:00 në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë”, tha Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.

Përveç kërkesave për Asociacionin dhe demarkacionin e kufirit, udhëheqësit opozitarë thanë se, tani do të protestojnë edhe kundër kërkesës së serbëve të Kosovës për krijimin e një komune të re në Kosovë.

Top Channel