Prishtinë, digjet makina e kreut të grupit parlamentar të PDK-së

01/03/2016 12:45

Persona të panjohur i kanë vënë flakën të hënën në mbrëmje automjetit privat të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Makian “Audi” e modelit A8 ka qenë e parkuar në afërsi të banesës së Grabovcit, në lagjen Dardania të Prishtinës, në momentin që i është vënë flaka.

Dyshohet se ajo është spërkatur me benzinë dhe më pas i është vënë flaka. Kalimtarë të rastit kanë parë zjarrin dhe kanë ndërhyrë për ta fikur atë.

Policia e Kosovës pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes ka konfirmuar se djegia e makinës ka qenë e qëllimshme, ndërsa autorët e këtij akti deri tani janë të panjohur.

Në vendin e ngjarjes policia ka marrë dëshmi për hetime të mëtejshme. Sulmin ndaj makinës së tij e ka komentuar shkurtimisht edhe vetë Grabovci, i cili ka thënë se nuk ka asnjë armiqësi me asnjëri.

Sulmin ndaj makinës së Grabovcit e ka dënuar ashpër Partia Demokratike e Kosovës, e cila e ka cilësuar si akt kriminal dhe në vazhdën e sulmeve të ngjashme që po ndodhin ndaj zyrtarëve të shtetit të Kosovës.

Përmes një komunikate për shtyp, PDK vlerëson se këto sulme kanë për synim të krijojnë klimën e frikës dhe pasigurisë në shoqërinë kosovare, por që sipas partisë më të madhe në vend, nuk do të kenë sukses.

“Duke cënuar këto vlera morale, ideatorët e këtyre veprimeve po synojnë të bartin konfliktin politik nga institucionet në jetën familjare dhe qytetare”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Javën e kaluar u dogjën auotomjtetet e bashkëshorteve të ministrit Memli Krasniqi dhe zv.ministrit Bajram Gecaj.

Top Channel