Itali, arrestohet xhihadisti maqedonas me ndihmë sociale, rekrutonte për ISIS

28/02/2016 00:00

Grupi i operacioneve speciale “Carabinieri” në Itali, ka arrestuar një 37-vjeçar maqedonas të identifikuar si Ajhan Veapi. Ai akuzohet për rekrutim të xhihadistëve.

Nga hetimet ka rezultuar se Veapi, pasi rekrutonte aspirantët për t’u bërë xhihadist, i niste ata te një imam boshnjak, i cili më pas merrej me të gjitha detajet për t’i dërguara ata më pas për të luftuar në krah të ISIS-it në Siri e Irak.

Më parë, Italia kishte deportuara edhe dy shtetas të tjerë maqedonas që kishin njohje me Ajhan Veapin dhe rekrutonin xhihadistë. Por, arrestimi i 37-vjeçarit Veapi ka hapur dhe një debat publik dhe politik në shtetin fqinj.

Nga verifikimi ka rezultuar se Ajhan Veapi, i dyshuar për rekrutim xhihadistësh, prej dy vitesh merrte ndihmë ekonomike nga shteti italian, prej 500 euro në muaj si i papune. Kaq ka mjaftuar që situata politike të ashpërsohej sërish.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, eurodeputetit italian, Matteo Salvini, njëherësh edhe Sekretar i partisë Lega Nord, e njohur për qëndrimet anti-emigrant, ka sulmuar kryeministrin Renzi.

“Ata duan të na vrasin, e shteti i paguan madje”, shkruan Salvini, duke i dhënë ngjyra të forta politike, betejës kundër terrorizimit.

Top Channel