Zidane pret derbin, “blancos” mbrojnë serinë pa humbje

26/02/2016 00:00

Ronaldo është në formë dhe i motivuar si duhet në vigjiljen e derbit të Madridit në futbollin spanjoll.

Stërvitja e fundit dhe tuneli në dëm të mbrojtësit francez Rafael Varane janë përshkrimi i duhur i kampit të “merenges”, me kryeqytetasit që nuk dorëzohen në luftën për titull.

“Blankos” nën drejtimin e Zinedin Zidane do të kërkojnë të mbrojnë serinë pa humbje që vazhdon prej 8 ndeshjesh, që kur francezi mori drejtimin e Realit në janar, por fqinjët e qytetit janë një pengesë e vështirë dhe renditja flet jo më kot.

“E dimë që Atletico mbron shumë mirë, por i kam idetë e qarta sesi të përballem me skuadrën e Simeone-s. Është një ndeshje speciale, një derbi për të cilin po përpiqemi të përqendrohemi në maksimum pasi luajmë ndaj rivalëve me kualitet”, tha trajneri Zidane.

Ai do të synojë formacionin më të fortë ndaj Atletico-s, me rikthimin e Karim Benzema, sulmuesi më efektiv në La Liga nëse konsiderohen minutat e aktivizimit.

Francezi ka shënuar 19 gola në La Liga në 1435 minuta lojë, një mesatare që nuk e arrin aktualisht as uruguajani Luis Suarez.

“Benzema është me rëndësi për ne dhe fatmirësisht ka lënë pas problemet që kishte jashtë fushe. Ai është i motivuar për derbin”, tha Zidane.

Top Channel