Dëmtimi i makinave të EULEX-it, Konjufca s’pranon fajësinë: Ka prapavijë politike

25/02/2016 00:00

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është zhvilluar këtë të enjte seanca ndaj 13 prej 27 aktivistëve të Vetëvendosjes, të akuzuar për dëmtimin e makinave të EULEX-it në vitin 2009. Në mesin e të akuzuarve është edhe deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

“Rasti ka prapavijë të qartë politike dhe, si rrjedhim, nuk ka të bëjë me drejtësinë. Po nisem prej kohës dhe momentit kur jemi arrestuar. Jemi marrë pa paralajmërim nga shtëpitë dhe jemi sjellë në burg, një ditë para protestës së paralajmëruar nga opozita”, tha Glauk Konjufca, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Asnjë nga të akuzuarit nuk e pranoi fajësinë, ndërsa seanca u shty për më 16 mars, për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve nga policia.

Në të njëjtën gjykatë është zhvilluar gjatë ditës së sotme edhe seanca kundër aktivistit tjetër të Vetëvendosjes, Trim Gashi, i cili akuzohet për tentativë sulmi ndaj eskortës së kryeminsitrit, Isa Mustafa.

Edhe për avokatin mbrojtës në këtë çështje, Tomë Gashi, ky është një gjykim politik dhe dëshmitar duhet të thirret vet kryeministri Isa Mustafa. Ngjarja ka ndodhur shtatorin e kaluar, kur në rrugën ku po kalonte autokolona e kryeministrit në Prishtinë, policia zbuloi mjete metalike për shpimin e gomave.

Top Channel