F1, Raikkonen optimist: Ferrari, më i mirë se ai i vitit të kaluar

25/02/2016 12:00

Kimi Raikkonen nuk i kursen fjalët e mira për Ferrarin SF-16 H, me të cilin do të garojë në Botërorin e Formulës 1 të vitit 2016. Piloti finlandez ka deklaruar se kjo makinë do të jetë shumë më kompetive në këtë sezon në krahasim me atë të vitit të kaluar.

“Jam i sigurt se makina e këtij viti do të jetë shumë më e mirë se ajo e vitit 2015. Jemi përmirësuar në disa aspekte në krahasim me një vit më parë. Po punojmë në shumë fronte dhe gjithnjë gjejmë diçka ku duhet të përqendrohemi më shumë. Gjithnjë ka diferenca mes makinave dhe ato asnjëherë nuk janë identike”, tha Raikkonen në një intervistë në faqen zyrtare të Ferrarit.

Optimizmin për sezonin e ri nuk e shfaq vetëm Raikkoneni, por edhe pjesa tjetër e skuadrës, gjë që vihet në dukje nga finlandezi: “Në skuadër është krijuar një atmosferë e këndshme, por janë disa gjëra të komplikuara që duhet të rregullohen. Do të mësojmë nga gabimet e kryera”.

Top Channel