Veseli përjashton deputetët e opozitës

19/02/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, njofton se ka përjashtuar nga punimet e Kuvendit disa deputetë të opozitës.

Sipas njoftimit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e deputetëve të cilët penguan zhvillimin e punimeve të seancës plenare, është marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Pantina, Salih Salihu, Mytaher Haskuka, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Albin Kurti, Enver Hoti, Fisnik Ismajli dhe Faton Topalli të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e bënë të pamundur zhvillimin e punimeve të seancës plenare.

Pak më vonë, Kuvendi njoftoi se e njëjta masë është ndërmarrë edhe ndaj deputetëve opozitarë Rexhep Selimi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Daut Haradinaj, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Zafir Berisha, Pal Lekaj dhe Shukrije Bytyqi.

Menjëherë pas kësaj, sigurimi i Kuvendit ka nisur të shoqërojë me forcë jashtë deputetët e përjashtuar nga ana e kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, ku gjatë këtyre përpjekjeve ka humbur ndjenjat deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel