Mustafa: Serbia s’ka të drejtë të gjykojë çështjet e Kosovës

18/02/2016 13:10

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar lidhur me vendimin e një gjykate në Serbi, për dënimin e 8 ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë, Mustafa ka deklaruar se asnjë gjykatë serbe nuk ka kompetencë të marrë vendime të tilla për qytetarët kosovarë.

Një ditë më parë, gjykata e Nishit, në Serbi, dënoi në mungesë ish-krerët e një brigade të UÇK-së, dy prej të cilëve tashmë janë deputetë të Parlamentit të Kosovës.

“Si kryetar i qeverisë së Kosovës do të njoftoj partnerët ndërkombëtarë për këtë tendencë dhe do të kërkoj prej tyre që të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë që të ndërpresë farsa të tilla gjyqësore dhe përndjekjen e qytetarëve të Kosovës me akuza të pabaza dhe jashtë standardeve juridike ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se, “vendim i kësaj gjykate nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi dhe nuk do të gjejë asnjëherë zbatim, sepse gjykatat e Serbisë nuk kanë juridiksion të procesojnë çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe qytetarët e saj”.

Gjykata serbe dënoi ditën e mërkurë në mungesë krerët e brigadës së UÇK-së, Anton Quni dhe Rrustem Berisha, si dhe 6 bashkëluftëtarë të tyre, Xhafer Gashi, Demush Gacaferri, Demë Maloku, Agon Isufi, Rabit Alija dhe Sheqeri Maloku. 

Top Channel