Flamurtari, Skënderbeu e Kukësi në gjysmëfinale të Kupës

17/02/2016 00:00

Tirana-Flamurtari ishte ndoshta ndeshja më emocionuese në çerekfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë në futboll dhe jo pak surprizoi kualifikimi i vlonjatëve për më tej.

Bregdetarët që nisën çdo llogari nga disfata 0-1 në sfidën e parë i përmbysën kuotat e bluve duke iu imponuar 1-2 në “Selman Stërmasi”. Lojë e qetë dhe pak raste në startin e çerekfinales, por kjo ndryshoi shpejt me Telushin që i dha avantazhin ekipit mik.

Japonezi Fukui barazoi për Tiranën dhe ky rezultat i kualifikonte vendasit në gjysmëfinale. Por, Lushtaku shkërmoqi ëndrrat e kryeqyteasve për të fituar Kupën e Shqipërisë. Për të përmbyllur paraqitjen e dobët të Tiranës duhet të përmenden edhe dy kartonë të kuq të dhënë nga arbitri kryesor.

Skënderbeu nuk ishte në formën optimale kundër Vllaznisë, por pavarësisht impenjimit për t’u kritikuar sidomos në fundin e ndeshjes në Korçë, ia doli të kalojë në katër më të mirët e turneut.

Në sfidën e parë gjithçka u mbyll me shifrat 0-0, por në ndeshjen e kthimit “ujqërit” triumfuan 2-1. Renatinjo dhe Xhejms ishin autorët e golave për Skënderbeun, dy lojtarë të huaj që ishin të mjaftueshëm për të mos cënuar kualifikimin nga rrjeta e vonë e shkodranëve me autor Markun.

Kualifikim dhe festë për Kukësin në shtëpi pasi Kloadian Duro shpëton pankinën, ndërsa verilindorët mbesin në garë për Kupën. Stadiumi falas ishte vetëm njëri nga motivet e mbushjes së impiantit pasi në diskutim ishte kualifikimi i cili u arrit me fitoren e pastër 2-0 kundër Teutës.

Në rrjedhimet e një goditje këndi Shameti zhbllokoi rezultatin, ndërsa Malota firmosi suskesin e merituar kur duheshin vetëm tre minuta nga fundi i lojës.

Top Channel